Friends, there have been many, many supporters that have helped James complete his mission and all are very happy to see him survive this latest ordeal. You all have been essential in the success of our mission and your involvement has been priceless. Here is another letter of support from our friends and supporters in New York who have worked hard to assist James in completing this mission. Many thanks to Illyria, Mr. Bajrami, Congressmen Engel and our brothers and sisters in New York.
Ndërhyrja e kongresistit Engel ndihmoi në lirimin e pilotit James Berisha
NEW YORK – Lirimi i pilotit James Berisha nga burgjet e Eritreas ka gëzuar shqiptaro-amerikanët që prej kohësh ndjekin me admirim dhe kanë mbështetur financiarisht nismën personale të tij për të promovuar pavarësinë e Kosovës.
Kur James Berisha ndërpreu fluturimin e tij nëpër Afrikë sepse avioni i tij pësoi një difekt dhe ai u arrestua nga autoritetet e Eritreas, shqiptaro-amerikanët u angazhuan përsëri një ndihmë të tij..
Një nga miqtë e tij në New York, botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami ndërhyri pranë kongresistit Eliot Engel që të ndihmonte në shpëtimin e pilotit dhe mbështetësi i shquar i shqiptarëve në Kongresin amerikan iu përkushtua menjëherë kësaj çështjeje.
Me të dhënat e marra nga Vehbi Bajrami, kongresisti Engel i bëri një kërkesë zyrtare Eritreas për lirimin e pilotit nga Kosova.
Do të kishte qenë shumë më lehtë nëse Eritrea do të kishte marrëdhënie normale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, në mungesë të tyre, Zyra e Kongresistit Engel punoi nëpërmjet kanaleve gjysëmzyrtare dhe kontakteve në rajonin e vështirë afrikan.
Me rastin e lirimit të tij, kongresisti Engel falenderoi të gjithë ata që gjithashtu u përpoqën paralelisht për të bindur autoritetet e Eritreas që të linin të lirë pilotin.
I gëzuar për lajmin e lirimit, botuesi i gazetës “Illyria” kujtoi takimin me pilotin Berisha përpara nisjes së tij për në kontinentin afrikan. Ai ishte i shqetësuar për gjendjen e avionit që kishte nevojë për riparim. “U angazhova personalisht dhe me ndihmën e një grupi miqsh këtu në komunitet mblodhëm 7 mijë dollarë që do të shërbenin për riparimin e avionit që kishte mbetur në Sudan”, thotë Vehbi Bajrami.
“Lirimi i tij është një lajm i mirë për të, familjen dhe të gjithë shqiptarët. Jamesi ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe të veçantë në lobimin për njohjen e pavaresisë së Kosovës në rreth 100 shtete, në gjithë globin”, thotë Vehbi Bajrami, botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. “Fatkeqësisht puna e tij nuk është çmuar sa duhet nga ata që kanë pasur mundësi ta ndihmojnë. Jam krenar që Illyria ka qenë një përkrahëse e tij që nga fillimi”.
Piloti James Berisha, i cilia humbi babain në kohën e luftës në Kosovë, është i vendosur që të ndihmojë personalisht për prezantimin e Kosovës si shtet i pavarur nëpër botë. Me avionin e tij të vogël dhe modest, ai fluturoi nëpër të gjitha vendet e Amerikës Latine, duke bërë që për Kosovën të flitet ngrohtësisht edhe në vendet që ende nuk e kishin njohur.
Afrika ishte kontinenti i dytë në listën e tij dhe udhëtimi ishte shumë më i vështirë. Nga ana tjetër pritja që i është bërë aty ka qenë në të shumtën e rasteve shumë më e ngrohtë. Afrika që vetë ka njohur kolonizimin e pushtime afatgjata sot është e vonuar në njohjen e Kosovën, por nëse një njeri i vetëm mund të bëjë që gazetat e çdo vendi të flasin për Kosovën, na lejohet të imagjinojmë se çfarë mund të bëhej sikur të gjithë ne të kishim guximin, fantazinë, shpirtin e nismës dhe të sakrificës të pilotit James Berisha.
(Ruben Avxhiu – “Illyria” New York)