Flying for Kosovo

Recognize Kosovo's Independence!

Komunikatë

Posted by flyingforkosovo On June - 22 - 2012

 

 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuara media, Misioni Flying for Kosovo njofton opinionin e gjerë se pas shumë vështirësive të paraqitura gjatë misionit, më në fund me fonde të përgjysmuara po vazhdojmë misionin lobues në kërkim të sa më shumë njohjeve për Kosovën, në dy shtetet e mbetura, Libinë dhe Egjiptin.

Duhet të cekim se misioni ka siguruar një motor të bërë remont dhe gjatë dy javëve në vazhdim ne do të mundohemi të riparojmë aeroplanin tonë të aksidentuar gjatë vitit të kaluar dhe me shpresën që të fillojmë sa më shpejt misionin. E dijmë që nuk është e lehtë, por jemi të përkushtuar që premtimin e dhënë popullit ta çojmë deri në fund dhe të realizojmë misionin tonë në Afrikë.

Jam i lumtur e i nderuar që më keni besuar këtë mision dhe më keni përkrahur gjatë tërë kohës, gjë e cila më ka dhënë motivim dhe kurajo të jem gjithnjë i pathyeshëm në këtë mision pa marrë parasysh rreziqet e paraqitura. Nuk ka qenë e lehtë rruga e këtij misioni, por isha i motivuar që ta bëjmë atë çka mundemi për vendin tonë të dashur, Kosovën tonë. Gjatë tërë këtij misioni kam parë shumë gjëra, kam parë shumë vuajtje, kam parë mjerim, por edhe të mira. Aksidenti dhe burgosja ime kanë bërë që misioni të stagnojë për një kohë, por falë përpjekjeve të pathyeshme dhe falë përkrahjes tuaj, sot po bëhet e mundur të fillojë përsëri misioni dhe me shpresen që aeroplanin, që ju e keni quajtur aeroplani i pavarësisë, aeroplani i Kosovës, ta kthejmë në vendin tonë dhe atë, siç kam premtuar t’ia dhuroj popullit tim të dashur, që të mbetet si relikt në histori për tërë, atë rrugëtim që bëri për pavarësinë e Kosovës.

Historia dhe ngjarjet tjera më poshtë:

Flying for Kosovo filloi në shkurt 2009, dhe si mision që në fillim kishte qëllim të tijin lobimin në përkrahje të Kosovës tek ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe falënderimin për ato vende që e kanë bërë një gjë të tillë tashmë. Si mision u nis nga piloti James Berisha me inicativën e tij private dhe vullnetarisht me dëshirën që ta çojë në çdo vend mesazhin se Kosova tashmë është vend i pavarur dhe me kërkesën që të njihet si shtet i barabartë, karshi të gjitha vendeve të pavaruara dhe sovrane.

Qëllim në vete përfshin lobimin, sensibilizimin, përhapjen e informacioneve për çështjen e Kosovës, që të krijohet një pasqyrë më e qartë tek të gjitha vendet e botës.

Ideja ishte që vuajtjet që kemi patur si popull, lufta, masakrat, shtypja barbare shekullore duke na u shkelur çdo e drejt elementare njerëzore kanë qenë motivim dhe shtytje për James Berishën që të marrë iniciativën vullnetarisht që këtë mision ta jetësojë anë e kënd botës.

Vlen të theksojmë vetë z.Berisha humbi babain e tij, në luftën e fundit ku makineria dhe barbarët serb i morën jetën duke e vrarë atë dhe shumë të tjerë në vendlindjen e tij, por edhe gjithandej Kosovës. Masakrat e femijëve, e grave dhe popullit në përgjithësi lanë gjurmë të thella tek shpirti i z.Berisha, i cili me profesionin e tij, me atë çfarë kishte mundësi, e mori këtë iniciativë, që këtë realitet, këto vuajtje, historinë e vendit tonë ta transmetojë gjithandej botës dhe ti revanshohet propagandës shoviniste serbe, e cila çdo herë ka propaganduar me ligësi gënjeshtra për ne si popull. Z.Berisha pa mëdyshje la komoditetin e tij, prej piloti ndërkombëtar, hoqi dorë nga jeta prej piloti dhe të gjitha benificionet e saj, me qëllim që të vihet në shërbim të popullit dhe të vendit të tijë me krejt çka kishte.

Të vihesh përballë një sfide të tillë, një mision me një avion me një motor dhe, i cili nuk është i dizajnuar për misione të tilla padyshim që është një risk, i lart në vete, por z.Berisha e mori këtë iniciativë me sinqeritet, me dashuri, dhe i motivuar, që po bën atë, që ai mundet, për ti dalur në ndihmë shtetit tonë të ri me shpalljen e pavarësisë, por duke përfaqësuar popullin më të vjetër, pra pasardhësit e Ilirëve, me një histori të bujshme dhe duke përfaqësuar të vërtetën ai fluturoi anë e kënd shteteve të ndryshme nëpër botë duke i njoftuar mbi vuajtjet që kemi kaluar ne si popull dhe me kërkesën, që këto shtete të dijnë se ne ekzistojmë, jemi pjesë e këtij planeti, dhe kemi shpallur shtetin tonë të pavarur e sovran të bazuar mbi të drejtën për vetëvendosje dhe kërkojmë të na njohin si të tillë, që të jemi edhe ne pjesë e barabartë me të gjitha vendet e këtij globi.

Lobimi i z.Berisha është fokusuar kryesisht në kontaktin direkt me institucionet qeveritare të këtyre vendeve, me organizata joqeveritare, me mediat elektronike dhe të shkruara, me intelektualë, por edhe me shoqëri civile.

Kjo mënyrë e lobimit është treguar e suksesshme për shkak se duke fluturuar me avion apo një fluturim sikurse një zog i lirë, dhe me një moto domethënëse e të qartë, PLEASE RECOGNIZE THE INDIPENDENCE OF KOSOVO, ne kemi përfaqësuar një komb me vlera, sikurse në këtë rast, një pilot ndërkombëtar, gjë që paraqet edhe një shkallë të intelektit që kemi ne si komb.

Duke kontaktuar këto institucione, duke bërë biseda e intervista me orë të tëra nëpër mediume, duke mbajtur konferenca me intelektualë dhe organizata të ndryshme shtetërore dhe civile, duke dërguar letrat zyrtare të MPJ të Kosovës në këto vende, direkt tek ministritë e punëve të jashtme të këtyre vendeve, misioni ka arritur që të sensibilizojë, në masë të konsiderueshme këto vende me realitetin e Kosovës dhe kjo mënyrë e lobimit është treguar shumë e suksesshme, pasi ka prekur direkt tek opinion publik i këtyre vendeve.

Pas çdo misioni është vërejtur një interesim i madh i organizatave të ndryshme, institucioneve qeveritare, por jashtzakonisht interesim kanë shprehur mediat e ndryshme, ku shumë prej tyre kanë paraqitur kërkesë, që të vijnë edhe në Kosovë e të shkruajnë për Kosovën. Një pjesë e tyre edhe kanë qenë në Kosovë dhe kanë shkruar dhjetëra artikuj për Kosovën dhe realitetin që kemi, duke bërë presion edhe te opinioni i tyre dhe qeveritë e tyre që të na njohin.

Harta e misionit

Misioni vullnetarë, me shumë vështirësi arriti që të përshkruaj gjysmën e planetës, ku përfshihen 95 shtete deri më tani, pra Amerikën veriore, qendrore, dhe jugore apo shtetet e
botës latine, dhe kontinentin e tërë të Afrikës.

Gjatë këtij rrugëtimi në një pjesë të madhe të këtyre vendeve nuk kishin dëgjuar asnjëherë për Kosovën. Lajmi i parë për shumë prej tyre ishte që ne jemi diku pjesë e kësaj bote dhe
ekzistojmë, e kjo u shfaq nëpërmjet misionit Flying for Kosovo, James Berisha.

Tek një pjesë e madhe, propaganda serbe kishte vendosur rrënjët e forta duke e paraqitur Kosovën si një vend të tmerrshëm, të prapambetur, dhe propagandë tjetër dashakeqëse. Me lobimin që bëri piloti Berisha është bërë e mundur të thyhet heshtja, është bërë e mundur të thyhet kjo propagandë negative për realitetin e Kosovës. Kjo është vërejtur edhe kur disa herë shteti serb, dhe diplomatët e tij janë mundur të pengojnë punën e z.Berisha, dhe kanë bërë trysni, nëpër vende të ndryshme që ti kundërshtojnë artikujt dhe konferencat e ndryshme, në të mirë të Kosovës në këto vende që janë bërë si punë e lobimit të z.Berisha.

Vështirësi ka qenë edhe të tregohet se sa kosto të lartë ka ky mision për shkak se të fluturohet me aeroplanë gjatë tërë kohës është e shtrenjtë sepse karburanti, sigurimet e avionit, lejet e
ndryshme për ulje e ngritje, burokracia që është shfaqur në këto vende, mirëmbajtjet mekanike kanë patur një kosto shumë të lartë për tu përballuar, por me gjithë këto vështirësi misioni dhe piloti James Berisha ka arritur që premtimin e dhënë për shqiptarët dhe zotimin e bërë para vetes dhe Zotit, që ta jetësoj nga fillimi dhe ta dërgoj deri në fund në mënyrën më fisnike në shërbim të popullit.

Sikur të mos ishte edhe një kod, që e ka vetëm populli ynë, fjalën e besës me elementet në të cilat u rrit edhe vetë z.Berisha, ky mision nuk do të mund të përfundonte, pasi mbledhja fondeve ka qenë jashtëzakonisht e vështirë.

Aksidenti dhe burgosja

Siç dihet në këtë mision fluturova me një avion të vitit 1967 të tipit Cessna 172, 4 vendësh dhe me një motor. Pra, ky një avion që më tepër është dizajnuar për fluturime të shkurtra dhe në kohë të përshtatshme të motit. Pra, një avion që nuk është dizajnuar për misione të tilla dhe fluturime kaq të gjata nëpër kushte jashtëzakonisht të vështira të motit, por edhe të hapësirave ajrore dhe terreneve të këqija për të zbritur.
Gjatë ketij misioni kishte shume momente të vështira, por ndër to me të rrëzikshme ku z.Berisha pëballet me vdekjen disa herë, ishin fluturimi në Kolumbi, mbi oqeanin atlantik, Sudan etj.

Gjate fluturimit mbi Sudan nga Port Sudan në Khartum, duke fluturar në një lartësi rreth 2700 m apo 8500 këmbë, në një kohë të nxehtë me temperatur rreth 45-47 gradë celcius, papritur motori eksplodon dhe del komplet jashtë funksioni duke shkaktuar edhe pëlcitje të ndryshme. I gjendur duke fluturuar në një lartësi të ulët, mbi shkretëtirë, pa ndojë vend të përshtatshëm për ulje.

Duke u gjendur në një situatë të tillë për të cilën është i informuar opinioni, ku aeroplani ishte e pamundur të riparohej në mungesë të motorit tjetër, duke u gjendur në një situatë të
vështirë financiare z.Berisha merr një hap tjetër duke mos lejuar që të humbet kohë në lobimin për Kosovën dhe vazhdon lobimin më tutje në Eritrea, përderisa ishte në pritje të gjetjes së mundësive për të rregulluar aeroplanin e aksidentuar.

Por, lobimi në Eritrea ishte një sfide ku z.Berisha u përballë me një kidnapim të organizuar shtetëror.

Z.Berisha pasi hyn në shtetin e Eritreas në mënyrë të rregullt dhe kalon nëpërmjet autoriteteve aeroportuale ndërkombëtare, atij i lejohet hyrja dhe përfundimi i misonit, ai duke u larguar nga shteti nëpërmjet aeroportit të njëjtë ndërkombëtar, ku edhe kalon të gjitha kontrollet dhe vazhdon në pritje për tu nisur, ai papritur ndalet nga autoritetet e këtij shteti dhe pa asnjë justifikim të qëndrueshëm arrestohet nën komandën e sigurisë nacionale dhe si i tillë burgoset në njërin nga burgjet, ku nuk i lejohet e drejta për të njoftuar, për të kontaktuar me dikë të afërt apo anëtarë të misionit apo edhe ndonjë përfaqësus të vendit të tij apo të vendeve tjera.

Gjatë kësaj kohe z.Berisha i është mohuar çdo e drejt elementare jetësore. Nuk është ushqyer, nuk është lejuar të flasë dhe kontaktojë me askë, nuk i është lejuar asnjë avokat, pra totalisht ishte i zoluar për 5 muaj dhe 2 ditë.

Lirimi dhe aktivitetet pasuese

Që nga lirimi , fillimisht ka qenë periudha rehabilituese, pastaj janë bërë takime të ndryshme në Kosovë, në Maqedoni, në Mal te zi, në Shqiperi për të falenderuar përkrahesit dhe mediat si dhe shprehur mirenjohje për angazhimin e tyre për lirimin e z.Berisha nga burgu.

Pastaj jemi ballafaquar me mbledhjen e fondeve, duke u takuar dhe vizituar bashkombasit tonë gjithandej, sidomos në Zvicer dhe Amerikë. Ku mbledhja e fondeve ka qenë një ndër vështirësit më të medha që misioni është përballur.

Gjithashtu jemi munduar të gjejme mekanik që të bejnë të mundur rregullimin e avionit. Edhe kjo ka qenë vështirësi pasi mekaniku duhet patjeter të jetë me një licensë amerikane për tipin e avionit.

Kemi marre një motor të përdorur, që është i bërë remont, përshkak të mungesës së mjeteve financiare.
Inspektimi vjetore i avionint ka skaduar dhe gjithashtu edhe kjo është paraqitur si sfide e radhës. Aeroplani i cili është përdorur në këtë mission me deshirë te z.Berisha i dhurohet si relikt historik popullit të Kosovës.

Z.Berisha me përfundimin e lobimit në këto dy shtete, përfundon misionin Flying for Kosovoduke e çuar në fund premtimin e tij dhe duke i falënderuar të gjithë shqiptarët, që e përkrahën.

Por z.Berisha premton se për çështjen kombëtare do të mundohet edhe në mënyra të tjera ta japë kontributin e tij.

I juaji,

James Berisha

Leave a Reply